Revista prestigjioze ndërkombëtare e Kontrollorëve të Trafikut Ajror “The Controller”, i ka kushtuar një artikull të gjatë Kosovës, përkatësisht Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), me titull “Focus on Kosovo”. Prestigjiozja “The Controller”, e cila është revistë e “International Federation of Air Traffic Controllers’ Associations” (IFATCA), me seli në Montreal të Kanadasë, në numrin e fundit të saj, botuar më 01 Shkurt 2018, trajtohet historia e Kosovës, që nga vitet e hershme të shekullit 20, saktësisht nga viti 1918 e deri në ditët e sotme. Vlen të theksohet se Kosova është anëtarësuar në IFATCA në vitin 2017.
Autorit i këtij artikulli, Philippe Domogala, ishte për vizitë në ASHNA gjatë vitit 2017, me ç’rast u prit edhe nga Drejtori i ASHNA-së Bahri Nuredini, ku u informua më për së afërmi me të arriturat dhe sfidat e ASHNA-së.
“The Controller”, trajton në detaje historikun e Kontrollit të Trafikut Ajror, me theks të veçantë nga koha e pas luftës e më tej, ku ndër të arriturat, autori spikat shkollimin e kontrollorëve të trafikut ajror që nga viti 1999 e këtej, përmirësimi i kushteve të punës me kalimin në kullën e re si dhe përmirësimin e kushteve të infrastrukturës. Si sfidë kryesore paraqitet mungesa e anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare, siç janë ICAO dhe EUROCONTROL, si shkak i mungesës së anëtarësimit të Kosovës në OKB, si dhe normalizimi i hapësirës së ulët ajrore, veçanërisht pamundësisë së përdorimit të hapësirës ajrore të Serbisë, për fluturimet nga dhe për në Prishtinë.
Autori Domogala, gjatë realizimit të fluturimit të tij për në Prishtinë, ka qenë i akomoduar në kabinën e pilotit të fluturakes së Adria Airways, ku gjatë bashkëbisedimit me pilotin e kësaj kompanie, ky i fundit kishte shprehur kënaqësinë me profesionalizmin e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës dhe gatishmërinë e tyre që në çdo kohë të japin ndihmën e tyre.
Për më shumë, artikullin e plotë mund ta gjeni në linkun www.the-controller.ifatca.org