ASHNA realizon trajnimin rifreskues të njohurive për kontrollor të trafikut ajror dhe për instruktorë të trajnimit në vend të punës për profesionin e kontrollorit të trafikut ajror
Gjatë muajit qershor 2019, ASHNA përmes Akademisë së Aviacionit Civil të Republikës Çeke – CANI organizoi trajnimin freskues të njohurive për të gjithë kontrollorët e trafikut ajror të ASHNA-së për njësinë e Vajtje/Ardhjeve me ndarje mes fluturakeve duke shfrytëzuar radarin dhe kriteret procedurale të ndarjes. Përveç këtij trajnimi, gjatë kësaj periudhe u organizua përmes të njëjtit institucion edhe trajnimi rifreskues i njohurive për instruktor të trajnimit në vend të punës për profesionin e kontrollorit të trafikut ajror.
Në këtë mënyrë, ASHNA arriti që të përmbushë kërkesat që dalin nga rregullorja 19/2017 e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, përmes të cilës janë transponuar dispozitat e Rregullores 2015/340 të Komisionit Evropian.
Vlen të theksohet që si pjesë e trajnimit rifreskues ishte edhe pjesa e simulimit të situatave anormale dhe emergjente, në mënyrë që kontrollorët e trafikut ajror të Kosovës të jenë të përgatitur për t’u përballur me këto situata. Si pjesë përbërëse e trajnimit në trajtimin e këtyre situatave, ishte edhe shfrytëzimi i listës kontrolluese ASSIST (Standard i Eurocontrol-it) nga ana e kontrollorëve të trafikut ajror.
Ky trajnim paraqet vazhdim të bashkëpunimit të frytshëm që ASHNA ka me CANI në fushën e ofrimit të trajnimeve për personelin operativ të saj.