Muajve, javëve dhe ditëve të fundit jemi dëshmitarë të anomalive të motit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike në nivel global.
Vapa që po mbretëron kësaj vere në Evropën veriperëndimore tash disa javë e që pritet të ketë kulminacionin ditëve në vazhdim me temperatura rekorde të regjistruara ndonjëherë në Evropë, deri në +50⁰C që pritet të ndodhin në gadishullin Iberik (Spanjë dhe Portugali), në Gadishullin Ballkanik si asnjëherë më parë ka rezultuar me sasi rekorde reshjesh që ka reflektuar edhe me temperatura nën mesataret e pritshme.
Anomalitë në vendin tonë këtë vit kanë filluar që në muajin Prill, i cili me temperaturën mesatare prej (14.8⁰C) ka tejkaluar të gjitha mesataret mujore (Prill) të regjistruara që nga viti 1961, por edhe në nivel global ky muaj është shënuar si muaji Prill më i nxehtë që kur kanë filluar matjet zyrtare meteorologjike në shek. e 19-të.
Matjet e gjertanishme në Departamentin Meteorologjik në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) japin një sasi totale të reshjeve për periudhën Janar – Korrik 2018 (683.5 l/m²) sasi kjo që ka tejkaluar sasitë totale vjetore për 10 nga 15 vitet e fundit, dhe madje ka tejkaluar edhe mesataren vjetore për 15 vitet e fundit (2003-2017) – 654.4 l/m², shih tabelën:
Muajt Maj, Qershor dhe Korrik 2018, për nga sasia e reshjeve kanë shënuar vlerat rekorde që tejkalojnë dukshëm mesataret e muajve përkatës:
– Maj 2018 – 125.6 l/m²; mes. vjetore (Maj 2003 -2017) – 77.2 l/m²,
– Qershor 2018 – 188.6 l/m²; mes. vjetore (Qershor 2003 -2017) – 76.5 l/m²,
– Korrik 2018 – 149.5 l/m²; mes. vjetore (Korrik 2003 -2017) – 35.5 l/m².
Madje totali i tremujorit: Maj, Qershor dhe Korrik 2018 prej 463.7 l/m² tejkalon totalin e sasisë së reshjeve vjetore për vitin 2011 – 446.7 l/m².
Vlerat e cekura më lartë dhe rekordet e shënuara vërtetojnë dhe janë një dëshmi e fortë se ndryshimet klimatike tashmë po vërehen edhe në vendin tonë dhe përveç dëmeve të shkaktuara në fushën e agronomisë do të ndikojnë edhe në sferat e tjera jetësore që do të detyrojnë qytetarët të ndryshojnë stilin e jetës dhe të kërkojnë mundësi për adaptim me rrethanat e reja.
Autor:
Sherif Gosalci – Departamenti Meteorologjik